Pas Nait Hasanit, edhe një deputet tjetër i PDK’së ka dilema për...

Pas Nait Hasanit, edhe një deputet tjetër i PDK’së ka dilema për demarkacion

SHARE

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Andin Hoti, ka thënë se do ta presë raportin e Qeverisë e pastaj të vendosë se a do të votojë apo jo demarkacionin.

Përkundër që kryetari i PDK-së, Kadri Veseli është shprehur i bindur se të gjithë deputetët e PDK’së do të votojnë versionin aktual të demarkacionit, përveç Nait Hasanit, tani po del që edhe Andin Hoti nuk ka vendosur ende për votën e tij.

Hoti ka thënë se nuk do të donte të paragjykonte në lidhje me territorin e aq më pak të mendoj që ndonjë zyrtar mund të falë tokë.

“Demarkimi i kufirit s’ka dyshim që është me rëndësi kapitale për sovranitetin. Por, mendoj që duhet ta presim qeverinë, ta shohim me kujdes raportin që do të sjellin ata dhe të vendosim në përputhje me interesin e vendit. Nuk do të doja të paragjykoj lidhur me territorin, ashtu qysh s’dua as ta mendoj që mund te ketë zyrtar që guxon të falë tokë”, ka deklaruar Hoti për Gazeta Blic.

Ndryshe, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se të gjithë deputetët e partisë së tij do të votojnë pro marrëveshjes së demarkacionit – me përjashtim të njërit prej tyre.

“Mund të jetë vetëm një deputet i cili nuk e voton. Dhe ai është Nait Hasani, i cili mund të ketë dilema”, është shprehur kreu i PDK-së gjatë ditës së djeshme.