Ministri Reçica mori pjesë në punimet e Komitetit të Kosovës për Parandalimin...

Ministri Reçica mori pjesë në punimet e Komitetit të Kosovës për Parandalimin dhe Eliminimin e Punës së Rëndë të Fëmijëve

SHARE
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, mori pjesë në punimet e Komitetit të Kosovës për Parandalimin dhe Eliminimin e Punës së Rëndë të Fëmijëve.
Me këtë rast ai përgëzoi punën e KKPERF-së, dhe raportin e detajuar mbi të gjeturat e Komitetit në evidentimin e rasteve të punëve të rënda dhe të rrezikshme për fëmijët e moshës nën 18 vjet.
Ministri Reçica tha se në të ardhmen do të ketë një angazhim më të madh institucional në parandalimin dhe eliminimin e përfshirjes së fëmijëve në punët e rënda dhe të rrezikshme. Ai u zotua se me legjislacionin aktual si dhe në reformën ligjore e cila do të avancohet, trajtimi i kësaj kategorie do të gjejë vend të merituar në shoqëri. “Ju përgëzoj për punën e mirë, por nuk duhet të ndalemi këtu. Kujdesi për fëmijët do të jetë përherë një nga prioritetet më të mëdha të politikave tona preventive në mbrojtjen e gjeneratave tona të reja. MPMS do të ofrojë çdo herë mbrojtje institucionale në eliminimin e kësaj dukurie”, tha ministri Reçica.
Në raportin e KKPERF-së, i cili u  prezantua sot dhe në të gjeturat Inspektoratit të Punës së MPMS-së, u konstatua se nga puna në terren e Inspektoratit nuk është evidentuar as edhe një rast i angazhimit të fëmijëve në punë të rënda.
Bazuar në raportin e KKPERF-së dhe zbatimin e Planit të Veprimit për vitin 2017, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe partnerët institucionalë, konstatuan se gjendja në këtë fushë është dukshëm më e mirë se vitet e kaluara. Me këtë rast u kërkuar që data-baza të plotësohet  në vazhdimësi dhe të rritet efikasiteti i bashkëpunimit nga niveli qendror me pushtetin lokal, me theks të veçantë me Qendrat për Punë Sociale.